Historia e Arberit

Unë jam i lumtur që jam pjesë e një brezi që nuk pret që të tjerët të ndryshojnë diçka

Aktivist shqiptar për të drejtat e komunitetit LGBT - rreth rrugëtimit për vetë-pranim, mënyrën se si ta kthejmë dhimbjen në fuqi dhe si filloi aktivizmi i LGBT në Shqipërinë post-komuniste.

Quhem Arbër Kodra, jam një djalë gej 33 vjeçar dhe njëkohësisht aktivist LGBT+ në Shqipëri. Unë kam qenë pjesë e lëvizjes LGBTI+ në Shqipëri që prej fillimeve të saj. Jam drejtues i organizatës "Open Mind Spectrum Albania" (OMSA), që është e fokusuar në advancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri përmes artivizmit, programit të edukimit të prindërve dhe familjeve, pjesëmarrjes politike të personave LGBTI etj.
SFIDA PËR TË PRANUAR VETEN
Që i vogël e kam kuptuar për orientimin tim seksual
Por momenti që jam bërë më i ndërgjegjshëm për këtë gjë ka qenë mosha e pubertetit (diku 12-13 vjeç). Si e kam kuptuar ka qenë përmes disa revistave pornografike që gjeta në shtëpi. Duke i shfletuar shihja më shumë djemtë sesa vajzat. Aty u tremba, të jem i sinqertë, pasi mendoja se kjo gjë nuk është normale në një shoqëri heteronormative si kjo e jona. Që nga ai moment nuk e pranova dot këtë gjë tek vetja.

Në shkollë, në 8 vjeçare isha viktimë e bullizmit për shkak të natyrës së butë që kisha. Më pas rreth moshës 16 vjeçare hyra në gjimnaz, në një shkollë private dhe rrethohesha nga fëmijë të familjeve të pasura. Aty sërish pata episode bullizmi pasi isha më i butë, më i kujdesshëm seç duhej.
Kjo solli mbylljen time në vetvete. Për këtë arsye nisa duhanin, alkoolin, fillova të frekuentoja rregullisht jetën e natës
E bëja këtë pasi kisha edhe mundësi ekonomike meqenëse prindërit e mi ishin biznesmenë. Kisha makinë të re, kisha para por rashë në një shoqëri që nuk duhet të bija. Jeta e natës ka shumë aspekte jo të këndshme ... fillova në formë eksperimentale përdorimin e substancave narkotike. E bëja këtë gjë pasi këto substanca dhe alkooli më ndihmonin të shtypja, të mbysja atë çfarë unë isha: vetvetja që unë nuk kisha arritur ta pranoj. Erdhi një moment pas përdorimit të substancave që nuk shkoja më as në shtëpi, mungoja prej ditësh...

Ndaj erdhi ajo pikë që nuk po e duroja dot më këtë stil jetese. Substancat narkotike më sollën paranoja dhe gjendje ankthi, një gjendje që zgjati për shumë kohë...
NJË FILLIM I RI
Në momentin që u përballa me veten, fitova fuqi për të përballur çdo sfidë në jetë
Kështu që iu thashë prindërve që më duhej ndihma psikologjike. Pas disa përpjekjesh për të gjetur psikologen e duhur, nisa trajtimin që zgjati për 4 vite.

Për shkak të paranojave, nuk dilja dot, nuk takoja më njeri. Por unë isha shumë i fortë dhe as vetë nuk e dija nga buronte ajo forcë. Dhe pas 4 vitesh, kur arrita të qetësohem plotësisht, erdhi ai moment ballafaqimi që të dilte në pah ajo çfarë unë isha.
U gjenda përballë dy zgjidhjesh: ose do të vrisja veten, ose të ngrija zërin për veten time, por edhe për gjithë ata të tjerë që vuajnë si unë dhe që për momentin nuk kanë zë, dhe që fatkeqësisht ka ende dhe sot e kësaj dite. Unë zgjodha alternativën e dytë... zgjodha të luftoj, zgjodha të jem vetë ndryshimi që dua të shoh në botë.

Më vonë (në 2007) unë njoha dikë, i cili kishte jetuar jashtë. Së bashku patëm një raport të gjatë. Një ditë ai më tha se kishte njohur një vajzë lezbike dhe më ftoi ti bashkohesha një aktiviteti që do të zhvillohej për Ditën Botërore kundër HIV/AIDS-it. Çfarë kishin menduar ishte të vendosnin postera në shumë vende publike në Tiranë, pas mesnate. Fillimisht u tregova i stepur, për shkak se kisha frikë. Si përfundim vendosa të shkoj dhe bashkë me të dashurin e 7 persona të tjerë realizuam aksionin "guerrilas". Nga gëzimi që kishim gjetur persona të këtij komuniteti, vendosëm të qëndronim deri në 6 të mëngjesit bashkë. Që prej atij aksioni, nisi dhe angazhimi im me aktivizmin.
"COMING OUT"
Mendoj se mamaja ime e ka ditur gjithnjë për orientimin tim seksual dhe mendoj se një nënë gjithmonë e kupton fëmijën e saj
Por për herë të parë unë kam bërë "coming out" tek mamaja në vitin 2010. Një natë ajo më ka ndjekur me makinë. Unë vetë sapo kisha përcjellur të dashurin tek shtëpia dhe në garazhd shoh mamanë mbrapa me makinë. U kuptua që më kishte ndjekur...nis dhe një konflikt "pse më ndjek pse smë ndjek"...por unë nuk i thashë të vërtetën pasi kisha frikën e mohimit nga ana e saj, frikën se mos humbja dashurinë e saj.

Një herë tjetër, unë isha tek shtëpia e të dashurit dhe rreth orës 12 të natës më merr në telefon mamaja, duke më pyetur se ku isha. Unë e pyes se pse i duhet ky informacion. Më pas mamaja pasi e mbyll me mua, merr në telefon të dashurin tim, numrin e të cilit e kishte pasi ia kisha prezantuar si shok. Pasi ia hap, mamaja e pyet nga ana tjetër e telefonit nëse ishte me mua. I dashuri e mohon. Mamaja insiston: "Kë gënjen ti? Makina e tij është jashtë shtëpisë tënde". Si duket mamaja kishte pasur dyshime, kishte kaluar pranë shtëpisë së shokut, kishte parë makinën dhe ishte larguar.
Aty u vesha dhe e kuptova se kishte ardhur koha për të treguar të vërtetën. Mora makinën dhe u largova për në shtëpi. Kur arrita mora mamanë në telefon. Ajo ishte në krevat, por unë i kërkova të zbriste poshtë. Pas disa ngurrimesh, mamaja zbret poshtë dhe futet në makinë. Të dy nisemi për nga liqeni dhe ndalojmë diku aty afër. Në një moment e pyeta : "Çfarë do të dish?". Por ajo ma ktheu duke më thënë se e dinte përgjigjen, thjesht priste që t'ia thoja unë.

Unë ia ktheva "Ajo çfarë di ti është e vërtetë...duke u nënkuptar se bëhej fjalë për orientimin tim seksual". Pastaj ia plasa të qarës dhe më zuri frika se çfarë do të ndodhte...ndërkohë dhe mamaja ishte prekur dhe qante dhe ajo.

Qamë për një kohë të gjatë. Edhe pse qaja ndieja nje lirim me një peshë shumë të madhe duke qenë "i mbyllur" për 25 vite në dollap, por ndieja një frikë shumë të madhe se mos humbja dashurinë e personit që dua më shumë në këtë jetë, nënën time.

Pas disa momentesh duke qarë, i kërkova ta shoqëroj në shtëpi pasi kisha nevojë të rrija vetëm. Arritëm në garazhd. "Prit!" më tha ajo.
"Para se të ikësh dua të të them diçka. Ti je fëmija im dhe unë jam krenare për ty. S'dua tia dij për asgjë për aq kohë sa je fëmija im. Ti nuk do ta humbasësh dashurinë time. Me babin dhe vëllain do të merrem unë" tha ajo
Më pas u përqafuam dhe mamaja u ngjit lart për të fjetur. Kishte shkuar ora dy. Atë natë mbaj mend se mora në telefon një shoqen time lezbike, duke i treguar për gjithë çfarë kishte ndodhur. Në vazhdim i tregova dhe të dashurit. Atij iu bë qejfi për gjithë çfarë ndodhi. Madje mamaja u takua me të dhe u bë mbështetje dhe për të dashurin tim. Plot miq të mi të komunitetit nisën të flisnin me mamanë time pasi me prindërit e tyre nuk hapeshin dot.

Ne harrojmë që procesi i pranimit është një proces i gjatë, jo vetëm për ne por edhe për prindërit. Me vëllain nuk e pata të vështirë pasi ai gjithnjë kishte qenë një djali i lexuar. Kurse me babain nisa të flas gradualisht, ai lexonte broshurat që merrte nga makina ime, broshura këto me informacion në shqip rreth komunitetit LGBTI+. Realisht jam shumë krenar për prindërit që kam, më kanë ofruar dashuri të pakushtëzuar. Kur dëgjoj për prindër të tjerë dhe mënyrën se si sillen me fëmijët, se çfarë heqin dhe në çfarë situatash ndodhen, më bën ti dua akoma më shumë prindërit e mi.

Por përveç rasteve pozitive të pranimit, kam pasur dhe raste ku të afërm e familjarë më janë larguar dhe nuk më kanë pranaur për atë çfarë jam.
GJENEZA E "STONEWALL-IT SHQIPTAR"
Asokohe nisëm të qëndronim me një çift lezbikesh që punonin në Ambasadën Amerikane
Ne mblidheshim tek shtëpia e tyre dy herë në javë. Në ato takime diskutonim gjerëisht se si mund ta kthenim grupin tonë në një lëvizje të mirëfilltë aktivizmi. Ka qenë një periudhë shumë e bukur në fakt, një nga më të bukurat, kjo ndjesia komunitare ishte fantastike dhe kalonim shumë mirë me njëri-tjetrin. Organizonim party gati çdo javë. Organizata e parë që u themelua ishte "Alenca LGBT", aty ku dhe unë u angazhova si vulllnetar. Më pas u angazhova si koordinator i qendrës për një kohë të gjatë.
Në 2012 Ambasada Amerikane zhvilloi konferencën e parë rajonale "LGBTI+ rights are human rights" në Shqipëri. Në këtë konferencë më pyetën nëse mamaja ime dëshironte të fliste për eksperiencën e saj si prind i një fëmije LGBTI+. Ajo pranoi dhe fjalimi që ajo bëri në këtë konferencë i bëri të gjithë për të qarë. Aty u propozua dhe ideja e formimit të një grupi informal për suportin e prindërve të fëmijëve LGBTI+, dhe jo vetëm por edhe të prindërve të tjerë.

Gradualisht grupi "Jam fëmija yt" u rrit dhe u formalizua me kalimin e kohës. Në 2013 dhe më tej kemi zhvilluar tre trajnime edukuese me prindër të ndryshëm.
Mbaj mend në njërin takim ku ftuam dhe Komisioneren për Mbrojtjen nga diskriminimi, kjo e fundit na pohoi se në këtë takim do të vinte si prind, dhe jo në rolin e titullares
Nga këto takime kemi përgatitur dhe broshura dhe manuale edukuese për prindërit.

Në maj 2017 na u propozua nga një grup kristiano-maltez, ku janë dy prindër që kanë një djalë gej, ideja për të krijuar grupin evropian të prindërve (European Network of Parents/ ENP). Prindër nga vende të tjera u ftuan në Maltë, ndërkohë nga Ballkani isha vetëm unë dhe mamaja ime, si dhe një prind nga Kroacia. Ky rrjetëzim mblidhet një herë në vit, vitin e kaluar ishim në Portugali. Ndërsa këtë vit ka gjasa të zhvillohet në Spanjë. Të kryqëzojmë gishtat që vitin tjetër të bëhet në Shqipëri. Sa më shumë koha kalon, aq më shumë prindër i shtohen rrjetit.

Tanimë kemi një fushatë të titulluar "I am your child" të mbështetur nga UNDP, ku jam pjesë si Konsulent Kombëtar. Gjithashtu jam drejtor ekzekutiv pranë organizatës Open Mind Spectrum Albania (OMSA një organizatë që lindi si nevojë për të bashkëpunuar me prindërit, gjithashtu për të promovuar të drejtat e njeriut, advokimi me përfaqësues të politikës, programi i biznesit dhe artivizmi. Ideja për ta bërë më gjithëpërfshirëse ka qenë e imja dhe e një bashkëthemeluesi tjetër, për këtë arsye dhe emri i organizatës është Open Mind Spectrum Albania.

Një prej projekteve që kam më përzemër është artivizmi, që nënkupton promovimin e të drejtave të personave LGBTI+, të drejtat e grave dhe barazinë gjinore përmes artit. OMSA është e fokusuar dhe në advokim dhe sa i përket projektit të politikës, mendoj se politikanët nuk janë gati kur vjen puna për të përqafuar të drejtat LGBTI+. Kjo vjen dhe si pasojë e frikës se mos humbasin votat, çështja LGBTI+ nuk shihet nga nje perspektivë e të drejtave të njeriut por nga bindjet e tyre personale, dhe kemi një numër të vogël politikanësh që na mbështesin publikisht. Ky numër i vogël mund të shpjegohet dhe me frikën nga stigma sociale.
Në kuadër të këtij programi kemi zhvilluar një kërkim për perceptimet ndaj personave LGBTI+, publikimi i parë dhe i vetëm në Shqipëri për Pjesemarrjen Politike të Personave LGBTI, perceptime këto nga partitë politike dhe forumet rinore përkatëse, si dhe angazhimi i këtij komuniteti në sferën politike. Pjesë e studimit kanë qenë dhe organizatat ndërkombëtare, organizatat lokale LGBTI+ si dhe plot palë të tjera që punojnë për kauzën. Gjatë kërkimit kemi hasur ofendime, sharje, kërcënime nga politikanë. Pas realizimit të kërkimit, u zhvillua forumi i parë politik në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë forum që bëri bashkë të gjitha organizatat LGBTI+, 40 politikanë, 11 ambasadorë, 5 ministra, pjesa tjetër ishin mbështetës të kauzës nga shoqëria civile. Disa prej politikanëve kanë ardhur pasi kanë ndjerë presionin nga ndërkombëtarët.
more stories